Alergjitë janë një përgjigje e tepruar e sistemit imunitar ndaj substancave që për shumicën e njerëzve janë të padëmshme. Këto substanca, të njohura si alergene, mund të gjenden në mjedisin tonë të përditshëm dhe përfshijnë polenet, pluhurat, ushqimet dhe epitelin e kafshëve. Në këtë blog, do të shqyrtojmë simptomat kryesore të alergjive dhe se si ato ndikojnë në mënyrë sinjifikante në cilësinë e jetës suaj.
- Alergjitë e rrugëve të frymëmarrjes
Këto lloj alergjish prekin rrugët e frymëmarrjes por mund të shoqërohen edhe me prekje të syve, ato përfshijnë alergjitë nga polenet (riniti apo rinokonjktiviti alergjik), alergjitë nga pluhuri i shtëpisë dhe kafshët shtëpiake. Simptomat mund të përfshijnë:
- Kollitje dhe teshtitje të shpeshta
- Rrjedhje dhe/ose bllokim të hundës
- Kruarje e hundës, fytit dhe syve
- Lotim dhe skuqje e syve
- Alergjitë ushqimore
Alergjitë ushqimore ndodhin kur sistemi imunitar reagon ndaj një ushqimi të caktuar si të ishte një kërcënim. Simptomat mund të shfaqen menjëherë pas konsumimit të ushqimit alergen dhe mund të përfshijnë:
- Skuqje e lëkurës ose urtikarie
- Ënjtje e buzëve, gjuhës, fytyrës ose fytit
- Dhimbje barku, diarre dhe të vjella
- Vështirësi në frymëmarrje
- Alergjitë e lëkurës
Alergjitë e lëkurës shpesh manifestohen si dermatit alergjik, ku lëkura bëhet e kuqe, kruhet dhe irritohet. Simptomat kryesore përfshijnë:
- Skuqje dhe kruarje të lëkurës
- Flluska ose enjtje e lëkurës
- Tharje dhe dëmtim të lëkurës
- Anafilaksia
Anafilaksia është një reagim alergjik i rëndë dhe i menjëhershëm dhe mund të jetë kërcënues për jetën. Simptomat shfaqen shpejt dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Simptomat mund të përfshijnë:
- Vështirësi në frymëmarrje
- Rënie të tensionit
- Humbje e vetëdijes
- Puls i shpejtë dhe i dobët
Menaxhimi i alergjive
Menaxhimi i alergjive fillon me identifikimin e alergeneve që shkaktojnë simptomat. Kjo mund të përfshijë teste alergjie të kryera nga një mjek specialist. Pas identifikimit të alergeneve, mund të merren masa për të shmangur kontaktin me to.
Trajtimet e zakonshme për alergjitë përfshijnë:
- Antihistaminikë: përdoren për të lehtësuar simptomat si kruarja, rrjedhja e hundës dhe teshtitjet
- Kortikosteroide: ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe enjtjes
- Dekongjestantë: ndihmojnë në lehtësimin e bllokimit të hundës
- Imunoterapia: vaksinat e alergjisë mund të ndihmojnë në desensibilizimin e pacientit ndaj alergeneve specifikë.
Për më shumë informacione dhe këshilla mbi menaxhimin e alergjive, vizitoni KLINIKE ALERGOLOGJIE Dr. Gjustina Loloçi. Qëndroni të informuar dhe kujdesuni për shëndetin tuaj!