Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë të përballesh me një gjendje alergjike. Pacientët alergjikë shpesh i njohin simptomat dhe metodat e trajtimit për alergjitë e tyre. Nëse jeni një prej atyre individëve të pafat që vuajnë nga alergjitë, është shumë e mundur që shkaktarët të jenë ushqimi, pickimi i insekteve, medikamentet, ose polenet—shkaku më i zakonshëm.
Në rastet më ekstreme, alergjitë mund të çojnë drejt një gjendje të rrezikshme të njohur si anafilaksi (shok anafilaktik). Kjo gjendje mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, si bllokim të frymëmarrjes ose humbje koshience. Numri i individëve të shtruar në spital për shkak të shokut anafilaktik është rritur me 615% nga viti 1992 deri në 2012, me të paktën 20 vdekje në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
ALERGJITË E LEHTA
Një situatë e zakonshme është kur simptomat e një alergjie janë të lehta. Alergjitë janë ndër sëmundjet kronike më të zakonshme në Mbretërinë e Bashkuar, me prekje mbi 20% të popullsisë. Megjithatë, për shumicën e njerëzve, simptomat e alergjive janë shpesh jo fatale. Mund të keni rrjedhje hundësh, urtikarie, astma, kollë, teshtima, sy të lotuar, ose probleme intestinale. Shpesh, njerëzit i neglizhojnë këto simptoma, duke menduar se do të kalojnë vetvetiu pa trajtim mjekësor. Për disa, kjo mund të jetë e vërtetë. Por për të tjerë, mungesa e trajtimit mund të përkeqësojë simptomat dhe të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore.
EFEKTET AFATGJATA
Një shembull i pasojave të një alergjie të patrajtuar është riniti alergjik, i cili mund të çojë në infeksione të sinuseve dhe të veshëve për shkak të edemës dhe inflamacionit. Kur sinuset bllokohen, dhe nuk drenazhohen si duhet, krijojnë një mjedis të përshtatshëm për bakteret që ato të shumohen dhe të shkaktojnë infeksion. Alergjitë e patrajtuara gjithashtu mund të përkeqësojnë sëmundje kronike si astma, dhe problemet e lëkurës si ekzema dhe urtikaria.
Përveç komplikacioneve fizike, mostrajtimi i alergjive mund të ketë ndikime afatgjata në aspekte të tjera të jetës suaj. Një studim norvegjez tregoi se fëmijët me simptoma të urtikaries merrnin nota më të ulëta në shkollë se shokët e tyre që nuk vuanin nga këto simptoma. Për të rriturit, simptomat e alergjisë kanë shkaktuar mungesa në punë ose dëmtime serioze gjatë proçesit të punës.
MOS VUANI NË HESHTJE
Mostrajtimi mjekësor i gjendjes tuaj alergjike jo vetëm që mund të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore, por mund të ndikojë negativisht në produktivitetin dhe performancën tuaj në çdo aktivitet jetësor. Është e rëndësishme që të vizitoheni rregullisht te mjeku specialist, i cili mund t’ju këshillojë për mënyrat më të mira të trajtimit dhe menaxhimit të simptomave tuaja.
Me teknologjinë dhe trajtimet e duhura tashmë lehtësisht të aksesueshme, nuk ka asnjë arsye për të vuajtur në heshtje, pavarësisht sa të lehta mund të jenë simptomat tuaja.
Për më shumë informacione dhe këshilla mbi menaxhimin e alergjive, vizitoni KLINIKE ALERGOLOGJIE Dr. Gjustina Loloçi. Qëndroni të informuar dhe kujdesuni për shëndetin tuaj!